11. O ju që besuat! Përkujtojeni të mirën e All-llahut ndaj jush kur, një popull tentoi të zgjasë duart e veta (për mbytje) kundër jush, kurse Ai i zbrapsi duart e tyre prej jush. Respektojeni All-llahun (duke zbatuar urdhrat e Tij) dhe vetëm All-llahut le t'i mbështeten besimtarët.
(5-Maide)
5. (Mospajtimi i tyre për plaçkë është) Ashtu si ai kur të nxori Zoti yt nga shtëpia jote për të vërtetën, e një grup nga besimtarët nuk ishte i kënaqur.
6. Bëjnë polemikë me ty për të vërtetën pasi që e kishin të qartë (se ti vepron me lejen e Zotit) sikur meqenëse shtyheshin në vdekje të sigurt.
7. Përkujtoni kur All-llahu ua premtoi njërin prej dy grupeve se është i juaji, e ju dëshironit t'ju takojë ai (grup) i paarmatosur, ndërsa All-llahu dëshiroi që me premtimet e Tij ta vendosë të vërtetën e ta zhdukë në themel mbeturinën e mohuesve.
8. Ta forcojë të vërtetën e ta çrrënjosë të kotën, edhe pse këtë e urrejnë kriminelët.
(8-Enfal)
1. Të pyesin ty (Muhammed) për plaçkën (e fituar në luftë), thuaju: "Plaçka, (mënyra e ndarjes së saj) është çështje e All-llahut dhe të dërguarit, prandaj kini frikë All-llahun, përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij.
41. Ju (besimtarë) ta dini se një e pesta e asaj që e fituat, nga ndonjë send, i takon (përkujtuesve të) All-llahut, të dërguarit të Tij, të afërmve të tij (të dërguarit), jetimave, nevojtarëve dhe atyre në mërgim, (ky është përcaktimi i Zotit), nëse keni besuar All-llahun, dhe atë (Kur'anin) që ia zbritëm robit Tonë (Muhammedit) ditën e furkanit (ditën e Bedrit, kur u dallua e vërteta nga e shtrembëra), ditën e konfrontimit të dy grupeve. All-llahu është i fuqishëm për çdo gjë.
(8-Enfal)
30. Përkujto (o i dërguar) kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje; të ngujojnë, të mbysin ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e All-llahu i asgjësonte, se All-llahu është më i miri që asgjëson (dredhitë).
(8-Enfal)
40. Në mos e ndihmofshit atë (Pejgamberin), atë e ka ndihmuar All-llahu; kur ata që nuk besuan e nxorën atë vetë të dytin; kur që të dy ishin në shpellë, kur po i thoshte shokut të vet: "Mos u pikëllo (friko), All-llahu është me ne!" E All-llahu zbriti qetësi (në shpirtin e) atij, e fuqizoi me një ushtri që ju nuk e patë; e fjalën e atyre që nuk besuan e bëri më të ultën, kurse fjala e All-llahut (është) më e larta. All-llahu është më i fuqishmi, më i urti.
61. Ka prej tyre që e ofendojnë Pejgamberin e thonë: "Ai është bërë vesh (beson çka dëgjon)". Thuaj: "Ai është vesh i të mirës suaj (dëgjon të mirën dhe vepron e jo të keqen), ai beson All-llahun (çka i thotë), u zë besë besimtarëve dhe është mëshirues për ata që besuan nga mesi juaj, e ata që nuk e lënë të qetë të dërguarin e All-llahut, ata kanë dënim të dhembshëm.
(9-Tewbe)
87. Ne të kemi dhënë ty shtatë (ajete) që përsëriten (Fatiha përsëritet në rekate të namazit) edhe Kur'anin e madhërueshëm.
88. E ty të mos shkojnë kurrsesi sytë në atë me çka Ne i pajisëm disa prej tyre, as mos u brengos për ta (pse nuk besuan), kurse ndaj besimtarëve jij i përulur e i butë.
89. Dhe thuaj: "Unë jam qortues i hapët (për dënim nga Zoti për ata që kundërshtojnë)."
90. (U sjellim dënim) Sikurse u sollëm atyre që bënë ndarjen (e librave të mëparshëm).
91. Të cilët e bënë Kur'anin të ndarë në pjesë.
92. Pasha Zotin tënd, ata të gjithë do t'i marrim në përgjegjësi.
93. Për atë se ç'vepruan.
94. Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh, e hiqju idhujtarëve.
95. S'ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen,
96. të cilët All-llahut i kundërvejnë zot tjetër, e më vonë ata do ta kuptojnë (prapavinë e tyre).
97. Ne dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata.
98. Po ti madhëroje me falënderime Zotin tënd e bëhu prej atyre që luten (përulen duke u falur).
99. Dhe adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty e vërteta (vdekja).
(15-Hixhr)
90. Ata thanë: "Nuk të besojmë ty derisa që të na nxjerrësh prej tokës burime".
91. Ose, (nuk të besojmë deri që) të kesh kopshte me hurma e me rrush, e të bësh të rrjedhin vazhdimisht lumenj në mesin e tyre.
92. Ose, (nuk të besojmë derisa) të bie mbi ne qielli copa - copa, ashtu si po mendon ti (se do të na dënojë Zoti), apo të na sjellish All-llahun dhe engjëjt pranë nesh.
93. Ose të kesh një shtëpi prej ari, apo të ngjitesh lart në qiell, po ne nuk të besojmë për ngjitjen tënde derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë?!" Thuaj: "Subhanallah - i Madhërishëm është Zoti im, a mos jam unë tjetër vetëm se njeri, pejgamber?"
94. Po njerëzit nuk i pengoi tjetër që të besojnë, kur u erdhi atyre shpallja, vetëm se thoshin: "A thua All-llahu e dërgoi njeriun pejgamber?"
95. Thuaj: "Sikur të kishte në tokë engjëj që ecin qetë (si njerëzit), Ne do t'u çonim atyre nga qielli engjëj pejgamberë!"
96. Thuaj: "All-llahu më mjafton për dëshmitar mes meje dhe mes jush, Ai hollësisht i njeh dhe i sheh robtë e vet".
(17-Isra)
1. Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t'ia treguar atij disa nga argumentet Tona.Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhammedit), pamësi (i punëve të Muhammedit).
(17-Isra)
52. Ne nuk dërguam para teje asnjë të dërguar (me shpallje) dhe asnjë pejgamber (të dërguar si vazhdues i shpalljes së mëparshme), e që, kur ai (i dërguari) dëshiroi diç, të mos iu pat hedhur në atë dëshirën e tij djalli, e All-llahu asgjëson atë që e hedh djalli, dhe All-llahu fuqizon argumentet e Veta. All-llahu është shumë i dijshëm dhe me urtësi të madhe i rregullon çështjet.
53. E për ta bërë atë (dyshim) që djalli e hedh si sprovë për ata që në zemrat e tyre kanë dyshim (munafikët) dhe për ata që i kanë zemrat e shtangëta. S'ka dyshim se jobesimtarët janë në një armiqësi të pambarim.
(22-Haxhxh)
15. Kush mendon se All-llahu nuk do ta ndihmojë atë (Muhammedin) në këtë dhe në tjetrën jetë, ai le të ngrihet me ndonjë mjet deri në qiell e le ta këputë (ndihmën), e le të shikojë se a po ia largon mjeshtëria e tij atë që po e mllefos.
(22-Haxhxh)
11. S'ka dyshim se ata që trilluan shpifjen, janë një grup prej jush. Ju mos e merrni atë si ndonjë dëm për ju, përkundrazi, ajo do të jetë në dobinë tuaj. Secilit prej tyre do t'i takojë dënimi sipas pjesëmarrjes në mëkat, e atij prej tyre që e barti pjesën e madhe (të shpifjes), i takon dënimi i madh.
12. E përse kur e dëgjuan atë (shpifje) besimtarët dhe besimtaret të mos mendonin të mirën si për vete dhe të thonin: "Kjo është shpifje e qartë?!"
13. Përse ata nuk i sollën katër dëshmitarë për këtë? E derisa nuk sollën dëshmitarë, ata pra te All-llahu janë mu gënjeshtarët.
14. E sikur të mos ishte mëshira e All-llahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër, juve do t'ju kapte dënimi shumë i madh për shkak të asaj në të cilën u hodhët.
15. Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishin kurrfarë dije folëshit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te All-llahu ajo është e madhe.
16. E përse, kur e dëgjuat atë, nuk thatë: "Ne nuk na takon të flasim për këtë. I lartë je Ti, kjo është shpifje e madhe!"
(24-Nur)
63. Thirrjen e të dërguarit mos e konsideroni si thirrjen tuaj ndaj njëri-tjetrit. All-llahu i di ata që tërhiqen prej jush tinëzisht, prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të dërguarit) se ata do t'i zë ndonjë telashe, ose do t'i godasë dënimi i idhët.
(24-Nur)
52. Po ti mos i dëgjo jobesimtarët e luftoi ata me të (me Kur'an) me një luftë të madhe.
(25-Furkan)
79. E ti pra mbështetu në All-llahun se me të vërtetë ti je në të drejtën e sigurt.
80. Ti nuk mund t'i bësh të dëgjojnë të vdekurit, e as nuk mund ta bësh të shurdhëtin ta dëgjojë thirrjen, e sidomos kur ata ta kthejnë shpinën.
81. E as që mund t'i largosh të verbërit nga humbja e tyre (zemrat e verbëra), ti nuk mund ta bësh të dëgjojë ndonjë tjetër, vetëm atë që i beson argumentet Tona, e ata janë muslimanë.
(27-Neml)
6. Pejgamberi është më i ndieshëm ndaj besimtarëve se sa ata ndaj vetë vetvetes së tyre, ndërsa gratë e tij janë në vend të nënave të tyre. E ata (të afërmit) farefisi nga barku, sipas dispozitave të All-llahut, kanë më tepër përparësi ndaj njëri-tjetrit se sa besimtarët e tjerë dhe se sa muhaxhirët (të mërguarit), përveç nëse dashamirëve tuaj doni t'u bëni ndonjë të mirë (u lini testament ose diç tjetër). Kjo është e regjistruar në librin e shquar (Levhi Mahfudh, Kur'an).
28. O ti Pejgamber, thuaju grave tuaja: "Në qoftë se lakmoni jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj, atëherë ejani: unë po ju jap furnizimin (për lëshim) dhe po ju lëshoj ashtu si është e rrugës.
29. E në qoftë se e doni All-llahun, të dërguarin e Tij dhe botën tjetër, atëherë të jeni të sigurta se All-llahu ka përgatiur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë punë të mira.
30. O gra të Pejgamberit, cilado prej jush që bën punë të ligë e të shëmtuar, asaj dënimi i shtohet dyfish, e kjo për All-llahun është shumë lehtë.
31. E kush prej jush i përvishet adhurimit të All-llahut dhe respektimit të të dërguarit të Tij dhe bën punë të mira, asaj do t'i japim shpërblimin e dyfishtë dhe për të kemi përgatitur furnizim të këndshëm.
32. O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grua tjetër, nëse kini kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, po thuani fjalë të matura.
33. Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj si shfaqej në injorancën e hershme, faleni namazin, jepeni zeqatin dhe respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij. All-llahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë (së Pejgamberit) të largojë ndytësinë e mëkateve dhe t'ju pastrojë deri në skaj.
34. E, përkujtojeni atë nga ajetet e All-llahut dhe rregullat e fesë që po u lexohen në shtëpitë tuaja; vërtet, All-llahu është i kujdesshëm dhe i njohur hollësisht për çdo gjë.
50. O ti Pejgamber, Ne t'i kemi lejuar gratë, të cilave u ke dhënë shpërblimin e kurorës, dhe ato që me ndihmën e All-llahut hynë në posedimin tënd (robëreshat e luftës) dhe bijat e axhës tënd, bijat e hallave tua, bijat e dajës tënd, bijat e tezeve tua (të janë lejuar, pos grave me niqah dhe të afërtat), të cilat kanë migruar (kanë bërë hixhret) si ti, dhe një grua besimtare nëse ajo ia falë veten Pejgamberit dhe nëse Pejgamberi dëshiron të martohet me të (një martesë e tillë pa shpërblim të niqahut) duke qenë kjo (rast) vetëm për ty e jo edhe për besimtarët. Ne e dimë se ç'u kemi bërë atyre obligim rreth grave të tyre dhe rreth atyre që i kanë në pronësinë e vet, ashtu që ti të mos keshë vështirësi, e All-llahu është që falë shumë, është mëshirues.
51. Ti je i lirë të lëshosh atë që don prej tyre dhe të mbash pranë vete atë që don, e edhe të kërkosh afrimin e asaj nga e cila ke qenë larguar, dhe nuk ke mëkat. Kjo është më së afërmi që ato të qetësohen shpirtërisht e të mos brengosen dhe të jenë të kënaqura me atë që ti ua ofron të gjitha atyre. All-llahu e di çka mbani në zemrat tuaja, All-llahu është më i dijshmi, më i buti.
52. Prej tash e mbrapa ty nuk të lejohen më gra (të tjera) e as në vend të tyre të marrësh ndonjë tjetër, po edhe sikur të të mahnisë bukuria e tyre, përveç atyre që i ke në posedim (robëreshat), All-llahu është përcjellës ndaj çdo sendi.
53. O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush; All-llahu nuk i turpërohet realitetit. E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk u takon ta mundoni të dërguarin e All-llahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek All-llahu mëkat i madh.
59. O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t'i vënë shamitë (mbulojë) e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. All-llahu fal gabimet e kaluara, Ai është mëshirues.
(33-Ahzab)
53. O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush; All-llahu nuk i turpërohet realitetit. E kur kërkoni prej tyre (grave të Pejgamberit) ndonjë send, atë kërkojeni pas perdes, kjo është më pastër për zemrat tuaja dhe të tyre. Juve nuk u takon ta mundoni të dërguarin e All-llahut, e as të martoheni kurrë me gratë e tij, pas (vdekjes së) tij. Këto janë tek All-llahu mëkat i madh.
56. Është e vërtetë se All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.
(33-Ahzab)
38. Pejgamberit nuk i përket kurrnjë qortim për atë që All-llahu e ngarkoi me të. Ky ishte ligj i All-llahut edhe ndër ata që ishin më parë, e urdhri i All-llahut është vendim i kryer.
39. (ligj i All-llahut ndër) Ata, të cilët i kumtojnë shpalljet e All-llahut, i frikësohen vetëm All-llahut e askujt tjetër pos Tij, e All-llahu është i mjaftë të jetë llogaritës.
(33-Ahzab)
60. Po nëse hipokritët dhe ata që kanë zemra të sëmura, dhe ata që përhapin gënjeshtra në Medine, nuk ndalen, Ne do të bëjmë që ti të dominosh mbi ta e pastaj ata nuk do të jenë fqinj me ty në të, vetëm një kohë të shkurtër.
61. (Do të jenë) Të mallkuar, kudo që të ndeshen, do të kapen dhe do të mbyten.
62. (Ky është) Ligji i All-llahut edhe ndër ata që ishin më parë, e në ligjin e All-llahut nuk mund të gjesh ndryshim.
(33-Ahzab)
78. Ne kemi dërguar pejgamberë para teje, për disa prej tyre të kemi njoftuar me rrëfimet e tyre, e për disa sish nuk të kemi njoftuar, e asnjë pejgamberi nuk i takoi të sjellë ndonjë argument, vetëm se me urdhrin e All-llahut. E kur të vijë koha e caktuar nga All-llahu, zbatohet gjykimi me drejtësi dhe aty atëherë dështojnë ata të kotit.
(40-Gafir)
77. Ti pra bëhu i durueshëm; premtimi i All-llahut është i vërtetë. E Ne ose do të bëjmë të shohish diçka nga ajo që u premtojmë atyre, ose do ta marrim jetën (pa parë asgjë), e ata vetëm te Ne do të kthehen.
(40-Gafir)
28. Ai është që e dërgoi të dërguarin e Vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë, që të triumfojë mbi çdo fé, e mjafton All-llahu dëshmitar.
29. Muhammedi është i dërguar i All-llahut, e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në rukuë), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë prej All-llahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Tevrat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet, ajo e mahnit mbjellësin. (All-llahu i shumoi). Për t'ua shtuar me ta mllefin jobesimtarëve. All-llahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.
(48-Fet'h)
1. O besimtarë, mos bëni asgjë para (se të orientoheni në udhëzimet e) Zotit dhe të dërguarit të Tij, kini kujdes All-llahun, se me të vërtetë All-llahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
2. O ju që keni besuar, mos ngreni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos ditur ju.
3. Ata që ulin zërat e tyre pranë të dërguarit të All-llahut, All-llahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri, ata kanë falje mëkatesh dhe shpërblim të madh.
4. Ata që të thërrasin përtej mureve, shumica e tyre janë që nuk kuptojnë.
5. E sikur ata të bënin durim derisa të kishe dalë ti vetë, do të ishte më edukative për ta, po All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.
(49-Huxhurat)
6. E atë (pasuri) që prej tyre All-llahu ia ktheu të dërguarit të vet, ju për të nuk i keni ngarë as kuajt, as devetë, por All-llahu i bën mbizotërues të dërguarit e vet kundër kujt të dojë, All-llahu ka fuqi mbi çdo send.
7. Atë që All-llahu nga banorët e vendeve (jobesimtare) ia dha pa luftë të dërguarit të vet, ajo i takon All-llahut, të dërguarit të afërmve, jetimëve, të varfërve, kurbetçinjve. (Kështu veprohet) Që ajo të mos ndahet ndërmjet pasanikëve tuaj. Çka t'ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t'ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.
(59-Hashr)
1. O ti pejgamber (o ti, që të është sjellë kumtesa nga qielli), pse ia ndalon vetes atë që All-llahu ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave tua? All-llahu është mëkatfalës, mëshirues.
2. All-llahu ua ka përcaktuar juve zgjidhjen e betimeve tuaja; All-llahu është kujdestari juaj; Ai është i gjithëdijshmi, i urti.
3. (Përkujto) kur Pejgamberi ndonjërës prej grave të veta i kumtoi fshehurazi një lajm, e kur ajo tregoi atë (lajm), e All-llahu (pejgamberit) i zbuloi atij për të (kallëzimin e lajmit nga ajo grua), ai ia bëri (asaj) me dije një pjesë të tregimit, kurse për pjesën tjetër heshti. E kur ai (pejgamberi) e njoftoi atë (gruan) me atë (që i kishte treguar), ajo tha: "E kush ta tregoi ty këtë?" Ai tha: "Më tregoi i gjithëdijshmi, njohësi i të fshehtave!"
4. Nëse ju të dyja pendoheni te All-llahu (është më mirë për ju), sepse zemrat tuaja tanimë kanë rrëshqitur, e nëse bashkëveproni kundër tij, ta dini se All-llahu është Ai mbrojtës i tij si dhe Xhibrili dhe besimtarët e ndershëm; e kur është kështu, edhe engjëjt i dalin në ndihmë.
5. Nëse ai u ka lëshuar juve, është detyrë e Zotit të tij t'i bëjë atij zëvendësim me gra edhe më të mira se ju: muslimane, besimtare, respektuese, penduese, adhuruese, emigruese, që kanë qenë të martuara ose virgjëresha.
(66-Tahrim)
1. O ti i mbështjellur!
2. Ngrihu për falje natën, përveç një pjese të vogël të saj.
3. Gjysmën e saj ose diç më pak se gjysmën.
4. Ose shto diç prej saj dhe Kur'anin lexoje me vëmendje.
5. Ne do të shpallim ty fjalë të rëndë (të madhe).
6. E s'ka dyshim se aktiviteti i natës është fuqizues dhe fjalë më e qartë.
7. Vërtet, ti gjatë ditës ke angazhim të gjatë (të madh).
8. Po ti përmende Zotin tënd dhe plotësisht përkushtoju Atij!
9. Zot i lindjes dhe i perëndimit, nuk ka zot tjetër vetëm Ai, pra Atë merre për mbështetje.
20. Zoti yt e di se ti dhe një grup i atyre që janë me ty, kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës ose gjysmën e saj, a një të tretën e saj. All-llahu e di gjatësinë e natës dhe të ditës dhe Ai e diti që ju nuk do të mund t'i përmbaheni asaj, andaj u lehtësoi juve, pra faluni duke lexuar Kur'an sa t'ju vijë më lehtë prej namazit. Ai e diti se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar nga begatitë e All-llahut, e edhe të tjerë që luftojnë në rrugën e All-llahut, pra faluni dhe lexoni sa të jetë më lehtë prej tij dhe kryjeni me rregull faljen, jepeni zeqatin, huazoni (jepni sadaka) për hir të All-llahut hua të mirë, se çka të përgatitni për veten tuaj prej të mirave, atë do ta gjeni te All-llahu edhe më të mirë, dhe shpërblim më të madh, e kërkoni falje prej All-llahut, se All-llahu është mëkatfalës, mëshirues!
(73-Muzemmil)
|