Tema: Natyra e pejgamberisë së Muhammedit a.s.
119. Ne të dërguam ty me të vërtetën (Kur'anin), përgëzues dhe qortues, e ti nuk je përgjegjës për banuesit e xhehennemit.
252. Këto janë argumente të All-llahut, po t'i lexojmë ty me saktësi, e s'ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të dërguarve.
(2-Bekare)
62. S'ka dyshim, ky është lajm i vërtetë. Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër pos All-llahut. All-llahu është Ai, i plotfuqishmi, i vetëdijshmi.
79. S'është e drejtë as nuk i takoi asnjë njeriu që t'i ketë dhënë All-llahu librin, urtësinë dhe pejgamberllëkun, e pastaj ai t'u thotë njerëzve: "Bëhuni robë të mi (adhuromëni mua) e jo të All-llahut"! Por (ju thotë): "Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, ngase u keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë.
97. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit.
144. Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t'i shpërblejë mirënjohësit.
159. Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.
(3-Ali Imran)
105. Ne të zbritëm ty (Muhammed) librin (Kur'anin) me plot të vërteta, që të gjykosh mes njerëzve me atë që të mësoi All-llahu. Mos u ngatërro për tradhëtarët (mos u dil në ndihmë).
106. Kërkoj falje (për këtë) All-llahut. All-llahu falë, mëshiron.
(4-Nisa)
67. O ti i dërguar! Komunikoje atë që t'u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revalatën-risalen). All-llahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon.
99. I dërguari nuk ka tjetër obligim vetëm të kumtojë (shpalljen); All-llahu di ç'publikoni dhe ç'mbani fshehtë.
(5-Maide)
14. Thuaj: "A pos All-llahut, krijues i qiejve dhe i tokës, që ushqen të tjerët, ndërsa vetë nuk ushqehet, të pranoj Zot tjetër?" Thuaj: "Unë jam i urdhëruar të jem i pari që bindem dhe (urdhërohem): të mos bëhem kurrsesi nga idhujtarët.
19. Thuaj: "Cili send ka dëshminë më të madhe?" Thuaj: "All-llahu është dëshmues mes meje e jush, e mua më është shpallur ky Kur'an që me të t'ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në ditën e kijametit). Ju po dëshmoni se pos All-llahut ka edhe zota të tjerë, a?" Thuaj: "Unë nuk dëshmoj!" Ai është vetëm një Zot dhe unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!"
(6-En'am)
48. Ne të dërguarit nuk i dërgojmë ndryshe vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk kanë as frikë as brengë.
(6-En'am)
158. Thuaj (Muhammed): "O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s'ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.
(7-A'raf)
2. Që të mos adhuroni tjetër përveç All-llahut. Unë jam (dërguar) nga Ai, qortues e përgëzues për ju.
(11-Hud)
7. Ata, të cilët nuk besuan thonë: "Pse të mos i ketë zbritur atij (Muhammedit) ndonjë argument (mrekulli praktike) nga Zoti i tij?" Ti je vetëm qortues. Çdo popull pati udhëzues (pejgamber).
(13-Rra'd)
64. Ne nuk ta shpallëm ty për tjetër Kur'anin, vetëm që t'u sqarosh atyre atë për çka u përçanë, e (ta zbritëm) që të jetë udhëzim e mëshirë për njerëzit që besojnë.
89. Dhe (përkujtoju njerëzve) atë ditë, kur në secilin popull do të sjellim dëshmitar kundër tyre, e ty të sjellim dëshmitarë kundër atyre. Ne ty ta shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.
(16-Nahl)
54. Zoti i juaj më së miri e di gjendjen tuaj, nëse Ai do, ju mëshiron dhe nëse Ai do, ju dënon, e ty (Muhammed) nuk të kemi dërguar roje të tyre (nuk ta besuam ty punën e tyre e t'i fusësh me dhunë në besim).
(17-Isra)
110. Thuaj: "Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë".
(18-Kehf)
107. E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.
(21-Enbija)
49. Thuaj: "O ju njerëz, unë jam për t'ua tërhequr haptazi vërejtjen".
(22-Haxhxh)
56. E Ne nuk të dërguam ty për tjetër qëllim, por vetëm si përgëzues e si qortues.
(25-Furkan)
91. Unë jam urdhëruar ta adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti, të cilin Ai e bëri të shenjtë, se Atij i takon çdo send, dhe jam urdhëruar të jem prej besimtarëve të sinqertë.
92. E, edhe ta lexoj Kur'anin, e kush e pranon udhëzimin e tij, ai udhëzohet vetëm për të mirën e vet, e kush ka humbur, ti thuaji: "Unë vetëm tërheq vërejtjen".
93. Dhe thuaj: "Falënderoj All-llahun, e Ai do t'ua tregojë argumentet e veta dhe do t'i kuptoni ato atëherë (kur nuk u bën dobi). Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që veproni ju".
(27-Neml)
40. Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu është i dijshëm për çdo send.
45. O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar përgëzues e qortues.
46. Dhe me urdhrin e All-llahut, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues.
47. E besimtarëve jepu sihariq se prej All-llahut ata kanë dhunti të madhe.
(33-Ahzab)
28. Ne nuk të dërguam ty ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes, por shumica e njerëzve nuk e dinë.
(34-Sebe')
24. Ne të dërguam ty me atë që është e vërtetë, lajmgëzues e qortues, e nuk pati asnjë nga popujt që nuk pati të dërguar.
(35-Fatir)
2. Pasha Kur'anin e pacenueshëm në urtësinë e tij të lartë.
3. S'ka dyshim se ti (Muhammed) je prej të dërguarve.
4. Je në një rrugë të drejtë.
5. (Kur'ani është) Zbritje e Plotfuqishmit, e Mëshiruesit.
6. Për t'ia tërhequr vërejtjen një populli, që të parëve të tyre nuk u është tërhequr, e për atë shkak ata janë të hutuar.
69. Ne as nuk ia mësuam atij (Muhammedit) poezinë, e as që i takon ajo atij, ai (Kur'ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kur'an i qartë.
70. Për t'ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (me mend e zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.
(36-Ja Sin)
65. Thuaj: "Unë jam vetëm këshillues, e nuk ka ndonjë zot tjetër përpos All-llahut Një, Dërmuesit.
66. Zot i qiejve e i tokës dhe ç'ka midis tyre, i Plotfuqishmi, Mëkatfalësi".
67. Thuaj: "Ky (Kur'ani) është një kumtesë e madhe!"
68. Të cilës ju ia ktheni shpinën.
69. Unë nuk kam pasur kurrfarë dije për elitën e lartë (melaiket) kur ata bënë polemikë (rreth Ademit).
70. Mua nuk më shpallet tjetër vetëm se, unë nuk jam tjetër pos një tërheqës i hapët i vërejtjes!
(38-Sad)
6. All-llahu është përcjellës i atyre që pos Tij adhurojnë zota të tjerë. Ti (o i dërguar), nuk je i obliguar ndaj tyre.
(42-Shura)
9. Thuaj: "Unë nuk jam risimtar prej të dërguarve, e nuk e di se çka do të bëhet me mua e as me ju, unë nuk ndjek tjetër vetëm atë që më shpallet, unë nuk jam tjetër pos i dërguar që ua tërheq vërejtjen qartas".
(46-Ahkaf)
8. Ne të dërguam ty (Muhammed) dëshmitar, përgëzues dhe qortues.
9. Që ju (njerëz) t'i besoni All-llahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (All-llahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje.
(48-Fet'h)
1. A nuk ta hapëm Ne gjoksin tënd?
2. Dhe Ne hoqëm prej teje barrën tënde,
3. E cila shtypte shpinën tënde.
4. Dhe Ne, ta ngritëm lart famën tënde?
5. E, pa dyshim se pas vështirësisë është lehtësimi.
6. Vërtet, pas vështirësisë vjen lehtësimi.
7. E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurim (All-llahut).
8. Dhe, vetëm te Zoti yt përqëndro synimin!
(94-Inshirah)